Kaja Kallas ka një vit që u vu në krye të diplomacisë së Bashkimit Europian pasi lëshoi pozitën e kryeministres në vendin e saj, Estoni, për t’u bërë zëvendëspresidente e Komisionit Europian dhe kryediplomate e bllokut.
Shërbimi i Jashtëm i BE-së, në krye të së cilit është Kallas, publikoi një përmbledhje të punës njëvjeçare të saj dhe prioritetet e diplomacisë.
Nga takimet që pati ajo me liderë nga Ballkani Perëndimor, në këtë klip, Kallas përfshiu takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
“Një vit në mandatin e Kaja Kallas si Përfaqësuese e Lartë/Zëvendëspresidente, BE vazhdon të japë rezultate në të gjitha prioritetet e saj strategjike: mbrojtjen e Europës kundër agresionit, sigurimin e paqes dhe stabilitetit në fqinjësinë tonë dhe ndërtimin e partneriteteve të forta globale. Ne po përmbushim prioritetet e përbashkëta me partnerët. Nga mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, te diplomacia aktive që synon avancimin e paqes në Lindjen e Mesme, te bashkëpunimi më i thellë me Afrikën, Indo-Paqësorin dhe Amerikën”.
Në të ardhmen e afërt, Shërbimi i Jashtëm i BE-së tha se do të vazhdojnë “të punojë me partnerët për të siguruar që ne ta formësojmë sigurinë tonë të përbashkët dhe stabilitetin e ardhshëm sipas vlerave demokratike”.
One year into @kajakallas’s mandate as HR/VP, the EU keeps delivering results across its strategic priorities: defending Europe against aggression, securing peace and stability in our neighbourhood and building strong global partnerships. We are delivering on shared priorities… pic.twitter.com/0R3u6vYro3
— European External Action Service – EEAS 🇪🇺 (@eu_eeas) December 1, 2025

