Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se po kërkojnë vazhdimisht nga Serbia që t’i sjellë para drejtësisë kryesit e sulmeve terroriste në Banjskë dhe të sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, sulme këto të ndodhura më 2023.
Këto komente, ai i bëri në konferencën për media para takimit të së martës të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.
“Për dy vjet, vazhdimisht kemi bërë thirrje për llogaridhënie për kryesit e sulmeve në të dy rastet, në Zveçan dhe Banjskë më 2023, që të sillen para drejtësisë. Paraardhësi im ka punuar në këtë me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë. E kam bërë edhe vetë unë. Më ka thënë se do të punojë në këtë dhe do ta kryejë këtë punë”.
“Ne vërtetë llogarisim në autoritetet e Serbisë që ta kryejnë pjesën e tyre të punës në këtë aspekt”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Për sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se NATO-ja është e përfshirë në mënyrë indirekte përmes KFOR-it.
“Tentojmë të jemi sa më të dobishëm që të jetë e mundur në këtë çështje”, u shpreh Rutte.
Ai u tha gazetarëvese NATO po e monitoron nga afër dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“NATO është e përfshirë në mënyrë të tërthortë përmes KFOR-it. Ne po përpiqemi të ndihmojmë sa të mundemi”, tha Rutte në selinë e Aleancës.

