Pas grevës nëntëditore, “Trafiku Urban” dhe operatorët privatë i janë rikthyer punës nga sot. Kjo erdhi pasi u alokuan mjetet financiare, të cilat ishin bërë shkak për ndërprerjen e qarkullimit që nga 24 nëntori dhe për protestat e përditshme para Komunës së Prishtinës.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhej dje në njoftim.
Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti të enjten një mbledhje të jashtëzakonshme për të miratuar bartjen e të hyrave vetanake, në mënyrë që të mundësohej pagesa e faturave. Alokimi i një pjese të këtyre mjeteve u realizua sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.

