Analisti politik, Agon Maliqi, tha se ndikimi i Serbisë në Kosovë prej vitit 1999 ka qenë i ekzagjeruar dhe se Kosova pas këtij viti është larguar prej Serbisë me “shpejtësi të dritës’ me disa varësi ekonomike.
Maliqi tha se ndikimi i Serbisë në vend ka qenë margjinal dhe jo përcaktues për zhvillimet dhe se ka qenë kërcënues dhe herë pas here i suksesshëm me sabotime, por kryesisht nën kontroll të NATO-s dhe të shërbimeve të sigurisë.
“Pas vitit 1999 Kosova është larguar prej Serbisë me shpejtësi të dritës, përveç disa varësive ekonomike të trashëguara dhe që filluan të adresohen gradualisht nga qeveritë e kaluara me ndërtim të infrastrukturës së re lidhëse (rrugëve, transmisionit, etj) me vendet e tjera të rajonit, por jo edhe me kapacitete të reja prodhuese energjetike (për këtë dikush duhet të përgjigjet)”.
Problemi, thotë Maliqi, është se ideologët të cilëve u ka penguar ndikimi i NATO-s dhe “që e kanë përjetuar këtë situatë si pushtim të ri, nuk kanë pasur guxim ta thonë këtë gjë publikisht, por e kanë barazuar agjendën perëndimore me atë të Serbisë, sepse kështu depërtohet më lehtë te masat e traumatizuara”.
Prandaj, thotë Maliqi, Serbia vazhdon të mbesë “gogoli” i pushtetit për të frikësuar elektoratin dhe që kritikën ta shfaqë si antishtet.
“Jo më kot shënjestër kryesore e sulmeve dhe etiketimeve si agjentë të Serbisë kanë qenë njerëzit që janë angazhuar me zell më të madh për integrim në NATO dhe BE. Serbia ka synime agresive dhe jomiqësore ndaj të cilave kërkohet vigjilencë, por ajo para së gjithash ka qenë dhe mbetet gogoli i domosdoshëm i pushtetit për frikësimin e elektoratit, për disciplinimin dhe trajtimin e kritikës si anti-shtet. Ndikimin më të madh në Kosovë Serbia e ushtron pa bërë asgjë, por thjesht duke jetuar pa qira në mendjen e pushtetarëve tanë dhe duke projektuar fuqi përmes retorikës së tyre”.

