Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirijona Bajraktari, ka zënë vendin e parë në një trajnim prestigjioz ndërkombëtar të zhvilluar në Abu Dhabi, njoftoi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ceremonia përmbyllëse e trajnimit dy-mujor u mbajt sot në Shkollën Ushtarake për Femra “Khawla Military School”, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, ambasadorë, diplomatë dhe përfaqësues ushtarakë nga vende të ndryshme të botës.
Kosova u përfaqësua nga tri oficere të FSK-së, ndërsa Bajraktari u vlerësua si pjesëmarrësja më e suksesshme, duke u renditur e para në mesin e konkurenteve ndërkombëtare.
“Khawla Military School” funksionon nën patronazhin e Lartmadhërisë së Saj Sheikha Fatima bint Mubarak, e njohur në Emiratet e Bashkuara Arabe si “Nëna e Kombit”.
Ministri Maqedonci ka uruar zyrtarisht tre pjesëmarrëset nga Kosova për këtë arritje të jashtëzakonshme, duke theksuar se sukseset e tyre nderojnë vendin dhe forcojnë imazhin e FSK-së në arenën ndërkombëtare.

