Arrestimi i një shtetasi shqiptar në pikën kufitare të Merdarës të enjten, pasi në veturën e tij u gjet një flamur me shenjat e UÇK-së, ka nxitur reagime të forta nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës – e veçanërisht ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – të shmangin kalimin përmes Serbisë dhe të zgjedhin rrugë alternative.
Ai ka theksuar se Serbia vazhdon të ushtrojë “luftë speciale” ndaj qytetarëve të Kosovës, duke nënvizuar se politika shtetërore atje nuk ka ndryshuar.
“Serbia, edhe pas luftës që e kemi pasur, asnjëherë nuk e ka ndalur luftën speciale ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë, prandaj kjo Serbi është e njëjta. Në atë kohë Serbinë e ka udhëhequr Millosheviqi, tani një ish-ministër i tij, pra zotëri Vuçiqi. Nuk presim të ketë ndryshime, ose me na respektu më shumë, sepse e kemi parasysh sa po i respekton qytetarët e vet atje”, deklaroi Syla.
Ai përsëriti thirrjen që ish-ushtarët dhe qytetarët të mos rrezikojnë duke kaluar nëpër territorin serb.
“Ne bëjmë thirrje, edhe pse kemi bërë shpesh thirrje, por vazhdojmë të bëjmë thirrje, mos provoni të kaloni andej, sidomos ushtarëve të UÇK-së, sepse nuk ka kush të iu dalë zot, nuk ka kush të iu bie pas, prandaj zgjidhni alternativa tjera, e jo nga Serbia, sepse ajo është e njëjta”, u shpreh ai.

