Zafir Berisha ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai thotë se rikthimi i tij në politikë vjen si pjesë e një përballjeje që e konsideron të domosdoshme për të luftuar “të keqen” që, sipas tij, ka kapluar vendin.
Berisha u shpreh se me Ramush Haradinajn e lidh jo vetëm e kaluara e përbashkët në kohën e luftës, por edhe përgjegjësia politike ndaj shtetit. Ai e sheh rreshtimin e tij brenda AAK-së si vazhdimësi të përpjekjeve për Kosovën.
“Rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, ka shkruar ai në Facebook.
Duke iu referuar pritjeve se mund të rreshtohej krah Bedri Hamzës, Berisha deklaroi se Hamza është “kandidat kukull në duart e pionerëve pa libreza të PDK-së”, duke e cilësuar si pjesë të skenarëve politikë që, sipas tij, u panë edhe më 9 shkurt.
Berisha përfundon se gara e tij është për Kosovën dhe kundër çdo skenari që, siç thotë ai, dëmton vendin.

