Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) po i përjashton kompanitë nga tenderët për periudha të shkurtra, por pa i dërguar rastet në prokurori, ndonëse Ligji për Prokurimin kërkon ndëshkime më të rënda
Lista e kompanive që janë futur në listën e zezë është mjaft e gjatë.
Gjatë viteve, këto kompani dyshohet se gjatë proceseve tenderuese kanë paraqitur dokumente të falsifikuara ose kanë bërë deklarata të rreme për aktivitetet e prokurimit.
Në raste të tilla, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka autoritetin dhe përgjegjësinë që t’i diskualifikojë operatorët ekonomikë nga pjesëmarrja në prokurimin publik për një periudhë deri në një vit.
Mirëpo, kjo formë e veprimit po del të jetë në shpërputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.
Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se ligji parasheh ndëshkim më të madh, por që OSHP-ja nuk po e përmbush këtë obligim.
“Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur një autoritet kontraktues dyshon për shkelje të ligjit, ai duhet të mbledhë prova dhe ta referojë rastin te prokuroria.
“Kushdo që, duke qenë në dijeni për përgatitjen e kryerjes së ndonjë vepre penale, nuk e lajmëron këtë fakt në kohën kur kryerja e veprës penale ende ka mundur të evitohet, ndërsa vepra penale është kryer ose është tentuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.”
Por çfarë ndodh në praktikë?
Sipas Metushi-Krasniqit, OShP shpesh ndërmerr vendime administrative pa e çuar çështjen në gjykatë, duke përjashtuar kompani për 1 muaj, 3 muaj apo 1 vit, por pa i dorëzuar rastet te organet e drejtësisë.
Për t’i sqaruar këto veprime, T7 ka dërguar pyetje në OSHP, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Shoqëria civile vlerëson se Gjykata e Tenderëve nuk ka konsistencë në vendimet që merr dhe se për raste të ngjashme ka dhënë vendime të ndryshme në periudha të ndryshme

