Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Kompania e Materieve të Rrezikshme ka përfunduar me sukses trajnimin për përdorimin e pajisjes së avancuar për pastrimin e ujit, WTC-3000 GT.
Ky trajnim është pjesë e përgatitjeve operative për menaxhimin e situatave emergjente ku furnizimi me ujë të pastër mund të jetë i rrezikuar.
Sipas njoftimit, pajisja WTC-3000 GT është krijuar posaçërisht për trajtimin dhe shpërndarjen e ujit në rastet kur ai kontaminohet si pasojë e fatkeqësive natyrore ose aksidenteve të ndryshme teknologjike. Në raste të tilla, uji bëhet i pa sigurt për përdorim, prandaj përdorimi i pajisjeve të tilla është thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Kjo pajisje moderne ka kapacitet të trajtojë deri në 3000 litra ujë në orë, duke mundësuar furnizim të vazhdueshëm me ujë të pastër edhe në kushte të krizës.
WTC-3000 GT funksionon përmes teknologjisë së osmozës reverse, e cila aplikon presion të lartë mbi ujin e kontaminuar duke e shtyrë atë përmes membranave të specializuara. Këto membrana lejojnë vetëm molekulat e ujit të kalojnë, ndërsa bllokojnë kripërat, metalet e rënda dhe ndotësit e tjerë të rrezikshëm.
Falë këtij procesi, pajisja siguron prodhimin e ujit të pastër dhe të sigurt për përdorim, duke rritur kapacitetet e FSK-së për t’u përgjigjur ndaj situatave emergjente dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme për komunitetin.
Ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve teknike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e menaxhimit të materieve të rrezikshme dhe mbrojtjes së mjedisit.

