Sot, kryetari i rizgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarisht do ta marrë mandatin e tij të ri – njëkohësisht të dytin – për të udhëhequr kryeqytetin. Ai pritet të bëjë betimin në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila do të fillojë në ora 10:00.
Gjatë kësaj seance, përveç Ramës, betimin do ta kryejnë edhe anëtarët e rinj të Kuvendit Komunal, të dalë nga zgjedhjet e fundit lokale.
Rama siguroi edhe një herë fitoren në garën për Prishtinën, duke mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çekun, dhe duke fituar mbështetjen e qytetarëve për ta vazhduar drejtimin e komunës për një mandat tjetër katërvjeçar.
Inaugurimi i sotëm shënon fillimin e një cikli të ri politik për kryeqytetin, me pritshmëri të reja për projekte e zhvillime në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.

