Anëtarët e ekuipazhit të një aeroplani transporti ushtarak rus An-22, i cili u rrëzua në rajonin e Ivanovos, në verilindje të Moskës, kanë humbur jetën në aksident.
Lajmi u konfirmua sot nga Komiteti Hetimor Rus, i cili nuk specifikoi numrin e personave që ndodheshin në bord.
Në një deklaratë të mëparshme, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se “gjatë një fluturimi provë, pas punimeve të riparimit, një avion transporti ushtarak An-22 u rrëzua, duke rënë në një zonë të pabanuar”.
Më herët, një burim i paidentifikuar nga shërbimet e shpëtimit i tha agjencisë ruse të lajmeve TASS se në bord mund të kenë qenë shtatë persona.
Deri tani, autoritetet ruse nuk kanë thënë nëse incidenti mund të lidhet me konfliktin e armatosur në Ukrainë.

