Çfarë zbulon IKD për korrupsionin që nuk po gjykohet?

by informim peje

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi dje raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, duke prezantuar gjetjet kryesore për trajtimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të 2025-s.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se vijon të mbetet problem fakti që zyrtarët e profilit të lartë rrallë akuzohen gjatë kohës sa mbajnë pozitat zyrtare. Nga 11 të akuzuarit gjatë periudhës së analizuar, vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë ushtrimit të funksionit, ndërsa shumica pas largimit nga detyra. Në nëntëmujorin e parë të 2025-s, 3 nga 4 zyrtarë janë akuzuar për detyrat aktuale, për dallim nga viti 2024, kur të gjithë 7 të akuzuarit ishin ish-zyrtarë.

banner

Sipas Shalës, Prokuroria e Shtetit ka shënuar regres në menaxhimin e lëndëve, duke pranuar më shumë raste sesa ka arritur të përfundojë. Ai theksoi gjithashtu mungesën e përkushtimit në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar: vetëm 19% e aktakuzave të analizuara përfshinin kërkesë për sekuestrim, ndërsa në 81% të rasteve një kërkesë e tillë ka munguar.

Prokuroria gjithashtu po përballet me rritje të ngarkesës: nga 583 raste në fillim të 2024-s në 880 raste në shtator 2025, me numër të përgjithshëm të personave të përfshirë që ka arritur në 2232.

Nga ana tjetër, përfaqësues të gjyqësorit paraqitën një tablo më pozitive. Gjykatësi i Supreme­s, Afrim Shala, tha se gjykatat kanë arritur efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit, falë prioritizimit të këtyre lëndëve. Po ashtu, gjykatësja e Apelit, Afërdita Bytyqi, deklaroi se shumica e lëndëve zgjidhen brenda tre muajve, ndërsa vetëm rastet e ndërlikuara zgjasin deri një vit.

Prokurori Zef Prendrecaj vlerësoi raportin si mjet të rëndësishëm transparence, ndërsa prokurori dhe anëtari i KPK-së, Arian Gashi, ngriti shqetësimin se vetëm 48% e aktakuzave për korrupsion kishin kaluar në gjykata në vitin 2024 – një përqindje që është rritur në 60% deri në shtator 2025, por mbetet dukshëm më e ulët se në lëndët e tjera penale.

Avokatja Albulena Ukimeri kritizoi mungesën e fokusit në rastet e profilit të lartë, duke thënë se “vonesat janë humbje e besimit publik”. Ndërsa Alfons Lentz, nga Zyra e BE-së, theksoi se trajtimi i rasteve të nivelit të lartë ende nuk merr vëmendjen e duhur dhe se mungesa e Strategjisë Antikorrupsion po e dëmton koordinimin institucional.

Tryeza u fokusua edhe në sfidat rreth provave dhe pranueshmërisë së tyre nga gjykatat.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy