Me një tjetër shtyrje të procesit gjyqësor, në Gjykatën Themelore të Prishtinës nuk ka arritur të mbahet seanca fillestare në rastin e “Rezervave shtetërore”, ku të akuzuar mbeten ministrja në detyrë e MINT-it, Rozeta Hajdari, si dhe zyrtarët Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe afaristi Ridvan Muharremi. Seanca u anulua për shkak të mungesës së Hajdarit dhe avokatit të Lipovicës, Feim Alaj.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, sqaroi se ftesa për Hajdarin ishte dërguar me postë, por ende nuk ka konfirmim nëse ajo e ka pranuar. Në sallë ishte i pranishëm avokati i saj me autorizim, Florent Latifaj. Ndërkohë, i pandehuri Lipovica u paraqit, por pa avokatin Alaj, i cili njoftoi gjykatën me e-mail se ndodhej në një proces tjetër gjyqësor në Pejë.
Gjykatësi Syla bëri të ditur se Alaj ishte kërkuar të gjente zëvendësues, por përpjekjet e tij kishin dështuar pasi Lipovica nuk kishte pranuar avokat tjetër. Në seancë ishin të pranishëm edhe të pandehurit e tjerë, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, së bashku me mbrojtësit e tyre, Nazim Mehmeti dhe Mahmut Halimi.
Nga pala e dëmtuar – Avokatura Shtetërore – nuk u paraqit askush, megjithëse ftesa ishte pranuar. Në parashtresën e tyre dërguar gjykatës, ata kanë bërë të ditur se kanë iniciuar një padi të veçantë në Gjykatën Komerciale dhe se do të marrin pjesë vetëm në seancat e shqyrtimit gjyqësor.
Për shkak të mungesave, Syla vendosi që seanca fillestare të shtyhet për datën 13 janar 2026. Avokati Latifaj mori përsipër të njoftojë Hajdarin, ndërsa për Alajn do të kujdeset përfaqësuesja ligjore e zyrës së tij.
Rasti i “Rezervave shtetërore” është ndër më të rëndat që po trajton Prokuroria Speciale, e cila më 11 nëntor 2025 ngriti aktakuzë ndaj Hajdarit, Lipovicës, Garës dhe Muharremit. Sipas aktakuzës, tre zyrtarët e MINT-it akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi akuzohet për “Ndihmë” në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës.
PSRK pretendon se këta zyrtarë kanë nënshkruar kontrata njëburimore në kundërshtim me ligjin e prokurimit, përfshirë marrëveshjen me kompaninë turke “Yafe Turizm” për blerjen e 10 mijë tonëve grurë me çmim rreth 4.8 milionë euro – çmim i vendosur, sipas prokurorisë, 193.48 euro për ton mbi mesataren e tregut. Ndërsa kontrata me kompaninë polake “Xanto SP. ZO. O” për furnizim me vaj dhe sheqer ishte paguar, por malli nuk ishte dorëzuar kurrë.
Po ashtu, zyrtarët akuzohen për zbulimin e vendndodhjes së rezervave të grurit duke ia komunikuar informacionet Muharremit. Sipas prokurorisë, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar buxhetit të shtetit kap shifrën mbi 2.9 milionë euro.

