Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD) ka publikuar të mërkurën raportin analitik “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare”, ku thekson se Qeveria në detyrë e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me standardet e qeverisjes së mirë sa i përket trajtimit të rasteve të dyshuara për korrupsion.
Sipas IKD-së, një qeverisje që pretendon të jetë kundër korrupsionit duhet të ndërmarrë masa proaktive për parandalimin e tij – nga raportimi i rasteve, bashkëpunimi me organet e drejtësisë, deri te dhënia e përgjegjësisë publike pa cenuar hetimet në zhvillim. Por raporti nënvizon se qeveria shpesh ka vepruar e kundërta.
“Qeveria, në vend se të forcojë transparencën dhe bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë, në disa raste ka mbrojtur personat e dyshuar, duke vënë në dyshim punën e organeve hetimore dhe duke sulmuar institucionet e ndjekjes”, thekson raporti.
IKD kritikon mungesën e llogaridhënies publike në skandale të shumta të ekspozuara në media, duke theksuar se institucionet ose kanë heshtur, ose kanë mbrojtur zyrtarët e përfshirë, pa ofruar sqarime të plota për qytetarët.
Raporti përfshin një pasqyrë të gjerë të skandaleve të denoncuara me interes të lartë publik, që prekin një sërë fushash qeveritare: energjinë, prokurimin publik, rezervat shtetërore, diplomacinë, administratën publike, kulturën, bujqësinë dhe infrastrukturën.
Mes rasteve të evidentuara janë dyshimet për keqpërdorime në tregun e energjisë, kontratat njëburimore, menaxhimin e rezervave shtetërore, ndërhyrjet politike në KEK, punësimet partiake në ndërmarrjet publike, ndarjet e kontestuara të subvencioneve dhe fondove, si dhe situata ku janë ngritur dyshime për konflikt interesi në projekte të mëdha infrastrukturore.

