Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Takimi u mbajt në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë, ku të dy zyrtarët diskutuan mbi gjendjen aktuale të sigurisë në vend dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Sipas njoftimit të KFOR-it, bisedimet u fokusuan në koordinimin e vazhdueshëm mes KFOR-it dhe organizatave vendore të sigurisë, përfshirë FSK-në.
NATO, siç u theksua, vazhdon ta mbështesë FSK-në në përputhje me mandatin e saj fillestar.
Gjeneralmajor Ulutaş nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm, si një faktor kyç për ruajtjen e sigurisë së qëndrueshme në mbarë territorin e Kosovës dhe për stabilitetin rajonal.

