Xhemajl Rexha: Viti 2025 i vështirë për gazetarët në Kosovë – mbi 60 raste sulmesh të shënuara

by informim peje

Gazetarët në Kosovë gjatë vitit 2025 janë përballur me një numër të lartë kërcënimesh dhe sulmesh, përfshirë edhe ato nga krerë institucionalë dhe zyrtarë të partive politike, me theks të veçantë ndaj Vetëvendosjes, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka deklaruar se gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 60 raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Megjithatë, sipas tij, këto sfida nuk kanë demotivuaar profesionistët për të vazhduar misionin e tyre në zbardhjen e aferave të ndryshme.

banner

“Viti 2025 ka qenë i vërtetë i vështirë dhe me sfida për gazetarët e Kosovës. Mund ta konsiderojmë një vit normal në kuptimin që nuk ka pasur tensionet e vitit 2023, por për shkak të zgjedhjeve të shkurtit, zgjedhjeve lokale dhe atyre të fundvitit, gazetarët kanë qenë cak i sulmeve të ndryshme, kryesisht nga krerët e institucioneve të Kosovës, duke përfshirë presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe disa deputetë të VV-së dhe partive të tjera. Këto sulme janë të dënueshme dhe për keqardhje, por fatmirësisht nuk kanë demotivuaar shumicën e gazetarëve, të cilët kanë vazhduar punën e tyre jetike për të zbuluar aferat korruptive të Qeverisë Kurti dhe institucioneve të tjera”, tha Rexha.

Ai theksoi se viti 2025 u karakterizua edhe nga rrëzimi i Ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Gjykata Kushtetuese dhe nga sfidat e shumta me RTK-në.

“Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin për KPM-në, gjë që e mirëpritet nga ana jonë. RTK-ja u përball me shumë probleme, përfshirë dy protesta për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë Kurti për ndarjen e buxhetit, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit. Fatkeqësisht, RTK-ja mbetet nën ndikimin e partisë në pushtet, Vetëvendosje, dhe narrativa e saj shpesh shërben si propagandë qeveritare. Televizioni publik duhet të jetë i pavarur dhe i qetë. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të miratohet një ligj i ri që do ta rregullojë këtë situatë. Ka pasur edhe kërcënime me jetë, disa raste kanë shkuar në gjykatë dhe dy janë dënuar për incidentet në veri”, shtoi Rexha.

Ai paralajmëroi se gazetarët vazhdojnë të jenë në rrezik, përfshirë sulme online dhe fizike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore dhe ditëve të votimit.

“Siguria e gazetarëve është vënë në rrezik nga sulmet online dhe disa sulme fizike, sidomos në shkurt gjatë fushatës zgjedhore. Retorika ngjitëse dhe gjuha e urrejtjes online shpesh bartet edhe në rrugë. Për ne, kjo është alarmuese. Thirrja jonë është që të gjithë krerët institucionalë dhe pjesëmarrësit e jetës publike të mos bëjnë fushata denigruese ndaj gazetarëve. Nëse kanë vërejtje për punën e tyre, duhet t’i dërgojnë ankesat në KMSHK”, tha Rexha./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy