Zbulimi i fundit “Sarajevo Safari” ka rikthyer në vëmendje në rrjetet sociale pamje të shumta nga periudha e rrethimit të Sarajevës.
Mes tyre është edhe një video e njohur ku shihen motrat Lejla Pajeviq Sariq dhe Selma, të cilat, me buzëqeshje në fytyrë, vrapojnë duke kaluar rrugën për t’u shpëtuar snajperëve. Pamjet dëshmojnë shpirtin e pathyeshëm të qytetarëve të Sarajevës, të cilët edhe në ditët më të rënda të rrethimit, nën kërcënimin e vazhdueshëm të agresorëve dhe snajperëve, arrinin të ruanin humorin dhe forcën shpirtërore si një mjet mbijetese.
Videoja është pjesë e dokumentarit të regjisorit Bill Carter, “Miss Sarajevo”, i cili pasqyron jetën në Sarajevë gjatë rrethimit. Motrat Pajeviq Sariq ishin gjithashtu pjesë e turneut “Zooropa” të grupit U2, gjatë të cilit dërguan mesazhe nga Sarajeva e rrethuar, të transmetuara drejtpërdrejt në stadiumin Wembley, me qëllim sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.
Së fundmi, Lejla Pajeviq Sariq ka publikuar një fragment të këtij dokumentari në rrjetet sociale, duke reaguar ndaj komenteve që ka marrë dhe duke dërguar një mesazh të fortë. Ajo shprehet se, edhe pas 30 vjetësh, disa njerëz vazhdojnë të mohojnë të vërtetën e rrethimit të Sarajevës.
“Nuk mund ta besoj se edhe sot, pas tri dekadash, me gjithë faktet dhe dokumentet që mund të gjenden lehtësisht, ka ende njerëz që mohojnë atë që ka ndodhur. Për mua, kjo video është një kujtim i hidhur i fillimit të gjithçkaje, dhe fatkeqësisht, kjo luftë me gënjeshtrat vazhdon edhe sot,” ka shkruar ajo.

