KEK-u me prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike edhe gjatë dimrit

by informim peje

Prodhimi i rrymës nga Korporata Energjetike e Kosovës është i bollshëm. Nga KEK-u thonë se aktualisht po prodhohet energji elektrike me kapacitetet e dy njësive të Kosovës A dhe Kosovës B. Ani pse konsumi rritet gjatë ditëve të ftohta, KEK-u është i gatshëm për prodhim konstant të energjisë, derisa me 20 megavat furnizon edhe ngrohtoren e qytetit.

“Aktualisht jemi duke punuar me të gjitha kapacitetet, me 17.640 MWh për ditën e sotme, me dy njësi të Kosovës A dhe dy njësi të Kosovës B. Korporata Energjetike e Kosovës punon konstant me katër njësi. Nuk mund ta rrisim kapacitetin apo ta zvogëlojmë. Dihet që konsumi gjatë periudhës dimërore rritet, ndërkohë që i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet dhe remontet. Njësia B2 ka kaluar edhe në modernizimin e turbinave, me ç’rast është ngritur dukshëm edhe kapaciteti prodhues i kësaj njësie. Aktualisht po prodhojmë 270–280 megavat”, tha Skënder Bucolli nga KEK-u.

banner

Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji nënvizon se aktualisht tregu i energjisë elektrike furnizohet nga gjashtë kompani të licencuara, të cilat furnizojnë kategori të ndryshme të konsumatorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Këto kompani mbikëqyren nga ZRRE-ja dhe kanë obligim për furnizim të qëndrueshëm dhe transparent, raporton RTK.

“Në aspektin e ndërlidhjeve energjetike, Kosova është e lidhur përmes linjave interkonektive me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, të cilat përbëjnë korridoret kryesore për shkëmbime tregtare të energjisë elektrike. Këto interkoneksione janë funksionale dhe përdoren për importe dhe eksporte, në varësi të nevojave të sistemit dhe kushteve të tregut. Ndërkohë, kufiri energjetik me Serbinë mbetet i bllokuar sa i përket transaksioneve komerciale të energjisë elektrike, çka nënkupton se shkëmbimet tregtare përmes këtij interkoneksioni nuk realizohen”, thotë ZRRE-ja.

Të dhënat zyrtare të Zyrës së Rregullatorit për Energji vënë në pah bllokadën ndaj Serbisë, e cila shpesh nxit debate, sidomos për kompaninë EFT, e cila nuk operon që nga viti 2021.

EFT është licencuar për herë të parë për tregtim të energjisë në vitin 2008. Licencimi i dytë është bërë në vitin 2011 për furnizim dhe tregtim. Më pas, licencimi për transit të energjisë dhe përdorim të linjave ndërlidhëse është miratuar në vitin 2016. Asnjë nga këto vendime nuk është marrë pas vitit 2021.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy