Borxhi total i konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina”, që përfshin sektorin amvisëror dhe bizneset e vogla e të mëdha në tetë komuna ku kjo kompani menaxhon furnizimin me ujë, ka arritur mbi 45 milionë euro. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një prononcim për Ekonomia Online.
Mjeku paralajmëroi qytetarët se, nëse nuk i paguajnë faturat brenda 16 ditësh, rastet do të procedohen te përmbaruesi ose do të pasojë shkyçja nga rrjeti.
Sipas saj, rreth 40 milionë euro janë borxhe të sektorit familjar, ndërsa mbi 5 milionë euro u përkasin bizneseve të vogla dhe të mëdha.
“Borxhi total i konsumatorëve, si në sektorin e amvisërisë ashtu edhe të bizneseve të vogla dhe të mëdha, ndaj shërbimeve të ujësjellësit që menaxhon në tetë komuna, në rreth 40 për qind të territorit të Kosovës, është mbi 45 milionë euro. Rreth 40 milionë euro vazhdon të jetë borxhi i sektorit shtëpiak dhe mbi 5 milionë euro i sektorit të bizneseve të vogla dhe të mëdha”, tha ajo.
“Ne u kemi dhënë afat qytetarëve që t’i përmbushin obligimet e tyre financiare për shërbimet e ujit, sepse ky ujë që marrin në çezmat e tyre nuk është ujë i natyrës dhe nuk merret drejtpërdrejt nga Batllava. Ai shkon fillimisht në impiantin e trajtimit të ujit, trajtohet dhe kalon nëpër të gjitha proceset teknologjike, gjë që paraqet kosto shumë të lartë për kompaninë deri sa të arrijë te konsumatori”, tha Mjeku.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina” paralajmëroi se, në rast të mosshlyerjes së obligimeve, kompania do të ndërmarrë masa ndëshkuese.
Ajo sqaroi se shkyçja nga shërbimet e furnizimit me ujë mund të ndodhë nëse konsumatori ka dy ose më shumë fatura të papaguara, pasi paraprakisht t’i jenë dërguar tri deri në pesë vërejtje.
Sipas saj, përveç shkyçjes nga rrjeti i ujësjellësit, rastet mund të procedohen edhe te përmbaruesi privat.
“Që nga dita e sotme, konsumatorët kanë afat 16 ditë për ta shlyer borxhin. Megjithatë, ka edhe lehtësira për ata që nuk kanë kushte të mira ekonomike, pasi e kuptojmë situatën në vend. Ata mund të paguajnë 10 për qind të borxhit total dhe pjesën e mbetur ta programojnë për periudhë prej 12 deri në 36 muaj, pa ndonjë kamatë shtesë. Shkyçja nga shërbimet e furnizimit me ujë ndodh në rast se ka dy fatura të papaguara ose më shumë, pas dërgimit të 3 deri në 5 vërejtjeve. Po ashtu, lënda mund të dërgohet edhe te përmbaruesi privat”, tha ajo./EO

