Nuk kaloi testin djali i njërit prej anëtarëve të KPK-së, andaj është anuluar konkursi për prokurorë të shtetit.
Aplikimin për prokurorë të shtetit kandidatët e bënë që në maj të këtij viti. Disa prej tyre kaluan disa faza, por kur procesi arriti në fazën e fundit, ai u anulua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Për arsyet e një vendimi të tillë nuk kanë treguar në KPK, ndërsa as vetë kandidatët nuk kanë arritur t’i kuptojnë ato.
Këshilli Prokurorial nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit, por burime brenda këtij institucioni kanë thënë se ndër arsyet e anulimit ka qenë edhe fakti se djali i ish-kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku, tani anëtar i Këshillit, nuk i ka kaluar të gjitha fazat.
Televizioni Dukagjini ka provuar të marrë një qëndrim nga Maloku, por ai ka qenë i paqasshëm gjatë gjithë ditës. Po ashtu, televizioni mëson se në anulimin e konkursit kanë ndikuar edhe disa gjetje të komisionit të shkallës së dytë, si dhe ndërprerja e intervistave për një kohë të gjatë.
Në këtë konkurs kandidate ishte edhe vajza e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Agron Qalaj, e cila ka kaluar fazën e testimit me shkrim.
Një nga kandidatët që ka qenë pjesë e këtij procesi, në mënyrë anonime, ka thënë për televizionin se nuk kanë marrë asnjë arsyetim për anulimin e konkursit:
“Ne, kandidatët për prokurorë, nuk jemi njoftuar në asnjë mënyrë se konkursi do të anulohej, e aq më pak në rrethana kur një pjesë e kandidatëve është privuar nga e drejta për t’u intervistuar. Këtë situatë e konsiderojmë thellësisht të padrejtë dhe të pajustifikueshme, duke pasur parasysh se procedura e rekrutimit përbëhet nga tri faza dhe ne ndodheshim në fazën e fundit, njëkohësisht faza më e avancuar e kësaj procedure të stërzgjatur.
Duhet theksuar se aplikimi ynë daton që nga muaji maj i këtij viti, ndërsa gjatë gjithë këtij procesi nuk kemi pranuar asnjë arsyetim zyrtar për anulimin e konkursit, as publikisht e as përmes emailit. Për më tepër, në fazën e parë të konkursit ka passuggestë një numër i madh ankesash, të cilat janë refuzuar, ndonëse testi kualifikues ka pasur gabime të shumta në formulim. Pavarësisht këtyre parregullsive, konkursi nuk është anuluar atëherë; përkundrazi, listës së kandidatëve i janë shtuar edhe 23 persona të tjerë.
Ndërkaq, tani që procesi ka arritur në fazën përfundimtare dhe pasi kanë dalë në pah probleme të brendshme mes institucioneve përkatëse – siç është raportuar edhe publikisht – konkursi është anuluar pa asnjë shpjegim dhe në dëm të drejtpërdrejtë të kandidatëve që kanë përmbushur të gjitha fazat paraprake. Një veprim i tillë cenon parimet e barazisë, transparencës dhe sigurisë juridike, si dhe dëmton besimin e kandidatëve në procesin e rekrutimit.”
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se anulimi i konkursit do të shkaktojë probleme të shumta në sistemin prokurorial.
“Gjatë monitorimit kemi mundur të kuptojmë se procesi ka shkuar deri në fazën e intervistimit për pjesën dërrmuese të kandidatëve që kanë kaluar me sukses fazat paraprake. Sistemi prokurorial ka treguar se ka nevojë për prani të prokurorëve të rinj të shtetit dhe anulimi i këtij procesi do të ndikojë negativisht në punën dhe performancën e sistemit prokurorial, për shkak të mungesës së madhe të prokurorëve”, ka thënë Flamur Kabashi nga IKD.
Një ditë më parë, një grup i kandidatëve për prokurorë të shtetit, përmes një reagimi, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me anulimin e konkursit, duke kërkuar rishqyrtim të vendimit. Ata kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Prokurorisë Speciale me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë penale eventuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe institucioneve të tjera përkatëse.

