Autoritetet izraelite janë të angazhuara në ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, për të siguruar që nuk do të ketë shtet palestinez në të ardhmen, sipas “Al Jazeera”.
Izraeli pritet të çojë përpara planet për të ndërtuar 9,000 njësi të reja banimi në një vendbanim të paligjshëm në vendin e aeroportit të braktisur “Qalandiya”, në Jerusalemin Lindor.
Projekti, i njohur si lagjja “Atarot” do të diskutohet dhe miratohet nga Komiteti Rajonal i Planifikimit dhe Ndërtimit, sipas grupit izraelit “Peace Now”.
Vendbanimi është planifikuar brenda një zone urbane palestineze, që shtrihet nga Ramallahu në Bregun Perëndimor deri në kampin e refugjatëve “Qalandiya” dhe qytete të tjera.
Kjo do të krijonte një enklavë izraelite midis qindra mijëra palestinezëve, duke penguar zhvillimin e zonës dhe mundësinë e një shteti të pavarur palestinez.
“Peace Now” e ka cilësuar këtë plan si shkatërrues dhe një pengesë për lidhjen e Jerusalemit Lindor me zonat palestineze përreth.
Planet për ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, filluan në vitin 2020 dhe u përgatitën nga Bashkia e Jerusalemit, megjithëse janë kundërshtuar nga Ministritë e Mjedisit dhe Shëndetësisë.

