Komisioni për Buxhet i Bundestagut të Gjermanisë i ka dhënë dritën e gjelbër shpenzimit të më shumë se 50 miliardë eurove për armë dhe pajisje ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se kjo është shuma më e madhe e njëhershme që është miratuar ndonjëherë për t’u shfrytëzuar nga forcat e armatosura gjermane – Bundeswehr, raporton “Deutsche Welle”.
Produktet që janë kërkuar në sasinë më të madhe nga ushtria janë uniformat dhe pajisjet mbrojtëse për ushtarët.
Në këtë listë gjithashtu përfshihet porosia për 200 automjete luftarake të këmbësorisë të tipit “Puma” me vlerë të 4 miliardë eurove.
Miratimi i këtyre fondeve vjen në kohën kur Gjermania po i fuqizon kapacitetet ushtarake si reagim ndaj rrezikut prej agresionit rus.
Gjermania ka investuar më shumë në ushtri në tri vitet e fundit se në tetë vitet paraprake, sipas kryekorrespondentës së “Deutsche Welle”-s për politikë, Nina Haase.

