Nga Albert Prenkaj
Pas tërheqjes nga institucionet e Kosovës të përfaqësuesve të komunitetit serb, e cila shënoi mungesën e legjitimitetit qytetar për shkak të mospjesëmarrjes në zgjedhjet komunale, dalja në zgjedhjet lokale, inaugurimi i asambleve komunale dhe betimi i kryetarëve të komunave rikthyen legalitetin dhe legjitimitetin institucional.
Por lëvizjet që synojnë të shkaktojnë telashe, e që kanë për qëllim realizimin e caqeve politike të serbëve të Kosovës, po vazhdojnë.
Komunat me shumicë serbe u tërhoqën nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Kjo ndodhi pas rimarrjes dhe konfirmimit të pushtetit lokal.
Cili është tashmë qëllimi “i ri”, por konsistent, i komunitetit serb?
Është e qartë se kjo është një përgatitje për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila është dakorduar në negociatat ndërmjet ish-kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në vitin 2023, në Bruksel dhe Ohër.
Është evidente se është shfrytëzuar vakumi kohor që sjell me vete fushata zgjedhore dhe koha e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Hapi tjetër i planifikuar nga Beogradi, tashmë i frustruar me BE-në për shkak të mos-hapjes së kapitujve të rinj negociues për integrim, problemeve me grevat e tejzgjatura dhe polarizimit të skajshëm politik e shoqëror, mund të jetë thirrja e kuvendit themelues të “Bashkësisë së Komunave Serbe”. Kjo do të kishte për qëllim, fillimisht, anashkalimin e institucioneve të Kosovës në nivel të Gjykatës Kushtetuese, Qeverisë dhe Kuvendit.
Me këtë do të shkaktoheshin disa probleme:
– Së pari, ky hap do të ringrinte tensionet ndërmjet palëve, fakt që do të shfrytëzohej, si deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar në këtë temë edhe nga partitë e tjera;
– Së dyti, do të krijohej një realitet i ri në terren dhe në tavolinën negociuese, i cili për Brukselin, si lehtësues, do të mund të trajtohej si pikë e radhës në agjendën negociuese;
– Së treti, pala kosovare me siguri nuk do të pranonte një veprim të tillë politik, pa u rishqyrtuar dhe proceduar në shkallët e nevojshme institucionale: Gjykata Kushtetuese, Qeveria dhe Kuvendi.
Nëse për asgjë tjetër, ky veprim i largimit të komunave me shumicë serbe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës do t’i shërbejë Albin Kurtit për ringritjen e temës së tij kujdestare – veriut – që deri më tani ka shkaktuar memecërinë e spektrit politik shqiptar (falë përjashtimeve individuale), për të mos humbur elektorat. Në anën tjetër, Vuçiq do ta përdorë këtë kartë për blerje kohe dhe për t’i përcjellë mesazh Brukselit zyrtar, por jo vetëm.
Tërheqja e komunave serbe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, në momentin e zgjedhjeve të parakohshme që shtojnë zellin nacionalist në të dy taboret, do të jetë një patate e nxehtë në duart e qeverisë së re dhe të Brukselit.

