Trupi Gjykues në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka njoftuar zyrtarisht mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave, duke hapur rrugën për fazën përfundimtare të procesit gjyqësor.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), palët janë urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklaratat përkatëse t’i dorëzojnë deri më 19 janar 2026. Ndërkohë, seancat për deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, me data shtesë të rezervuara më 16 dhe 18 shkurt, nëse paraqitet nevoja.
Para këtij vendimi, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e ZPS-së për paraqitjen e kundërprovave, duke vlerësuar se kushtet ligjore për pranimin e tyre nuk ishin përmbushur. Po ashtu, u refuzua edhe kërkesa e Mbrojtjes për lejimin e apelimit ndaj vendimit të mëparshëm që kishte refuzuar procedurën e veçantë për përcaktimin e dënimit. Paneli konfirmoi se çështja e dënimit, nëse është e zbatueshme, do të shqyrtohet vetëm në Aktgjykim.
Në kuadër të fazës përmbyllëse, të akuzuarit do të kenë mundësinë të deklarohen personalisht edhe një herë para Gjykatës Speciale. Trupi Gjykues ka vendosur që secili prej tyre të ketë në dispozicion deri në 20 minuta për fjalën e fundit, nëse dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.
Paneli gjykues ka rikujtuar se gjatë këtyre deklaratave nuk do të lejohen deklarata politike apo vërejtje fyese ndaj palëve, pjesëmarrësve në proces, dëshmitarëve apo viktimave, duke theksuar se çdo shkelje e kësaj rregulle nuk do të tolerohet.

