Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar me sukses trajnimi elitë “Simboli i Ujkut”, i cili u zhvillua përgjatë tre javëve intensive dhe u karakterizua nga sfida të vazhdueshme fizike dhe mentale për pjesëmarrësit.
Sipas njoftimit të FSK-së, ky trajnim selektiv kishte për qëllim testimin, vlerësimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, fizike dhe psikologjike të pjesëtarëve, duke synuar përgatitjen e tyre për detyra komplekse operative.
Faza përfundimtare e trajnimit përfshiu një ushtrim final 72-orësh pa ndërprerje, gjatë të cilit kursantët realizuan patrullime mbi 70 kilometra me pajisje të plota ushtarake. Në këtë fazë, pjesëmarrësit ekzekutuan me sukses misionin e caktuar, përfshirë edhe elemente të sulmit, duke demonstruar nivel të lartë profesionalizmi, vendosmërie dhe bashkëpunimi ekipor.
FSK vlerëson se përfundimi me sukses i trajnimit “Simboli i Ujkut” dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe gatishmërisë së pjesëtarëve të saj, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm institucional për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve operative dhe profesionale në përmbushje të misionit të saj.

