Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka riafirmuar angazhimin e KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë. Ky rikonfirmim u bë gjatë një takimi të mbajtur të premten me ambasadorë, krerë misionesh dhe përfaqësues të lartë kombëtarë nga 33 shtete që kontribuojnë me trupa në këtë mision ndërkombëtar.
Takimi shënoi angazhimin e parë kolektiv të gjeneralit Ulutash me përfaqësuesit e vendeve kontribuese që nga marrja e detyrës si komandant i KFOR-it. Me këtë rast, ai paraqiti një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet operative të misionit dhe prioritetet strategjike për periudhën në vijim.
Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, Ulutash theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë si element kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend. Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të vendeve kontribuese, duke vlerësuar rolin e tyre në përmbushjen e mandatit të KFOR-it.
Misioni i NATO-s në Kosovë vazhdon të mbetet një faktor thelbësor i sigurisë, me fokus në garantimin e lirisë së lëvizjes dhe sigurisë për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.

