Britania e Madhe zvoglon fondet për Ballkanin Perëndimor, preken fondet për mbështetje kundër ndikimit rus

by engel

Qeveria britanike ka vendosur të shkurtojë ndjeshëm financimin për Ballkanin Perëndimor, duke ulur fondet e dedikuara për kundërshtimin e ndikimit rus, dezinformimit dhe kërcënimeve të sigurisë në këtë rajon. Shkurtimi arrin rreth 40 për qind të buxhetit të mëparshëm, pavarësisht se rajoni është cilësuar nga kryeministri Keir Starmer si me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas të dhënave zyrtare, financimi britanik për Ballkanin Perëndimor është reduktuar nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për periudhën 2025–2026. Këto fonde ishin të destinuara për përballjen me kërcënime që lidhen me agresionin rus, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit në rajon.

banner

Shkurtimet prekin Fondin e Integruar të Sigurisë (Integrated Security Fund – ISF), i cili synon adresimin e kërcënimeve prioritare ndaj sigurisë kombëtare të Britanisë, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të saj. Siç raporton “The Guardian”, vitin e kaluar fondet e këtij mekanizmi janë përdorur për të kundërshtuar sulmet kibernetike keqdashëse, për të mbështetur institucionet demokratike dhe për të forcuar median e pavarur në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Në të njëjtën kohë, Ndihma Zhvillimore Zyrtare (ODA) për rajonin është ulur nga 31.9 milionë paund në 17 milionë paund, ndërsa edhe fondet jo-zhvillimore kanë pësuar reduktime. Këto masa janë pjesë e planit më të gjerë të qeverisë britanike për të zvogëluar ndihmën zhvillimore nga 0.5 për qind në 0.3 për qind të të ardhurave kombëtare deri në vitin 2027.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin britanik, Emily Thornberry, ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor ndodhet në vijën e parë të përballjes me dezinformimin rus, duke theksuar se rajoni ka nevojë për më shumë mbështetje për median e pavarur dhe jo për më pak, për shkak të vështirësive të qytetarëve për të pasur qasje në informacion të besueshëm.

Shqetësime të ngjashme kanë ngritur edhe organizata joqeveritare, të cilat vlerësojnë se shkurtimet mund të dobësojnë përpjekjet për parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes në një rajon të konsideruar ende të brishtë.

Nga ana e saj, qeveria britanike ka deklaruar se këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimeve totale të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se fondet e ISF-së rishikohen dhe përshtaten vazhdimisht në përputhje me prioritetet e sigurisë kombëtare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy