Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie në një autoambulancë të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Ratkoc, komuna e Rahovecit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:40, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar informacion për një incident zjarri. Njësitet policore, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të QMF-së së këtij fshati.
Si pasojë e zjarrit, përveç autoambulancës, janë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e QMF-së. Zjarri është lokalizuar me kohë dhe nuk raportohet për të lënduar.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si vepër penale “Zjarrvënie”.
Lidhur me rastin, Stacioni Policor në Rahovec ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore. Si rezultat i hetimeve në vendin e ngjarjes dhe provave të siguruara, është identifikuar një person i dyshuar, i cili për motive ende të panjohura dyshohet se i ka vënë flakën autoambulancës.
Më vonë, rreth orës 18:50, falë veprimeve operative të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë, i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore, është arrestuar. Ai ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare Qafë Prush.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rasteve penale dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, thuhet në njoftim

