Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit të Doganës së Kosovës, I.K., për dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17, në pikën kufitare në Vërmicë, I.K., duke tejkaluar kompetencat e tij dhe shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial “Mercedes Sprinter”, të cilin e kishte regjistruar në sistem si të zbrazët. Automjeti ishte i drejtuar nga A.K.
Pas kalimit të pikës kufitare, automjeti u ndalua nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit u konstatua se ishte ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro. Ekspertiza financiare tregoi se veprimet e të pandehurit i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm material në shumën 3,414.36 euro.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Përveç dënimit kryesor, Prokuroria ka propozuar shqyrtimin e një dënimi plotësues, që përfshin ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.

