Më 24 dhjetor 2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të kompanive të licencuara në sektorin e energjisë, duke përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO).
Takimi kishte për qëllim vlerësimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, kur konsumi i energjisë zakonisht rritet ndjeshëm. Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat kryesore që përballen rrjetet energjetike në këtë periudhë, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore, kufizimet teknike të rrjetit, nevojën për balancim të prodhimit, importit dhe konsumit, si dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese që janë ndërmarrë për të garantuar stabilitetin e furnizimit. ZRRE kërkoi nga operatorët përgjegjës hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes, duke përfshirë skenarë të mundshëm dhe planifikim paraprak të masave për situata të paparashikuara.
ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të përdorin energjinë elektrike në mënyrë të kujdesshme dhe të racionalizuar, veçanërisht gjatë orëve të kërkesës maksimale, pasi kjo kontribuon në stabilitetin e sistemit dhe garantimin e furnizimit të pandërprerë për të gjithë konsumatorët.
Zyra e Rregullatorit për Energji do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë me operatorët për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike.

