Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidat për deputet nga PDK, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje që Kosova të rikthehet fuqishëm në aleancat perëndimore, duke paralajmëruar për rreziqet e izolimit ndërkombëtar.
Në një video-mesazh të publikuar sot, Hoxhaj kujtoi momentet kyçe të historisë së Kosovës dhe rolin vendimtar të Perëndimit në lirinë dhe shtetësinë e vendit. Ai e cilësoi Rambujenë si “kontratën e parë të shqiptarëve të Kosovës me Perëndimin”, që solli ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimin e Serbisë, ndërsa pavarësia e Kosovës përbënte “kontratën e dytë”.
Hoxhaj theksoi se realiteti aktual në vitin 2025 është shqetësues, me dialogun strategjik me SHBA-në të ndërprerë dhe besimin të lëkundur. Si zgjidhje, ai propozoi “kontratën e tretë me Perëndimin”: anëtarësimin e Kosovës në NATO, jo për simbolikë, por për siguri reale.
Në përfundim, Hoxhaj theksoi vizionin e tij dhe të PDK-së për të ardhmen e vendit: një Kosovë e fortë, e lidhur me Perëndimin, që mbron shtetin dhe garanton stabilitetin për brezat që vijnë. “Kosova është Perëndim dhe duhet të kthehet aty ku e ka vendin,” tha ai.

