Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i votimit ka përfunduar në 25 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, duke shënuar një pjesëmarrje të lartë të votuesve nga diaspora.
Sipas KQZ-së, deri në orën 19:00, sipas kohës lokale në Kosovë, votimi është mbyllur në përfaqësitë diplomatike në shtete të ndryshme evropiane dhe Turqi, ndërsa në katër përfaqësi të tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, votimi pritet të përfundojë në orën 01:00 pas mesnatës.
Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se gjatë gjithë ditës ka pasur komunikim të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, me qëllim të garantimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor, në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi. Sipas tij, votimi ka kaluar pa pengesa të theksuara.
Të dhënat preliminare nga 25 përfaqësitë ku votimi është mbyllur, si dhe nga raportimet e hershme nga SHBA-ja dhe Kanadaja, tregojnë se nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar gjithsej 15,597 qytetarë, apo 81.29 për qind, duke reflektuar interesim të madh për pjesëmarrje në zgjedhje.
KQZ-ja ka sqaruar se, sipas procedurave ligjore, fletëvotimet e hedhura në përfaqësitë diplomatike nuk do të numërohen jashtë vendit, por do të dërgohen në Kosovë dhe do të përfshihen në procesin e numërimit gjatë ditëve në vijim.
Institucioni zgjedhor ka falënderuar stafin diplomatik dhe anëtarët e këshillave të vendvotimit për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij procesi.

