Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar për djegien e një shtëpie në Veriq të Komunës së Istogut, që është pronë e një serbi i cili planifikonte të kthehej në Kosovë.
HJaradinaj ka shkruar në Facebook se ky akt është vepër e papranueshme.
“Kosova, si një vend demokratik dhe me aspirata euro-atlantike, i garanton të drejtat themelore për një jetë të sigurtë dhe pronë të pacënueshme të gjithë qytetarëve të saj. Ne, me krenari duhet të jemi konform kushtetutës sonë, duke marrë obligim për të mbrojtur dhe respektuar të gjithë në mënyrë të barabartë, për të bërë të mundur që secili të ndjehet si në shtëpinë e vet, duke përfshirë këtu të gjitha komunitetet”.
”Djegja e një shtëpie e një qytetari serb, shtetas i Kosovës, është vepër e papranueshme si dhe kundër përkushtimit tonë për paqe dhe stabilitet. Ftoj organet e rendit dhe të ligjit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryesit e këtij sulmi të shëmtuar”, ka shkruar Haradinaj.
Më parë për këtë ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shkuar në shtëpinë e djegur duke e dënuar aktin dhe ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të garantojnë të drejtën e serbëve për kthim në Kosovë.