Ka rifilluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, më 28 dhjetor.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se procesi ka vazhduar në disa komuna të vendit pas ndërprerjes për festat e fundvitit.
Sipas Elezit, të enjten, më 1 janar 2026, rreth orës 16:00, në 11 komuna ka rifilluar verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Qendrat Komunale të Numërimit ku ka rinisur procesi janë: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.
“Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,009 nga gjithsej 2,557 vendvotime, apo më shumë se 78.57 për qind”, ka deklaruar Elezi.
Procesi i numërimit ishte ndërprerë të mërkurën në orën 12:00 dhe ka vazhduar sot në orën 16:00, për shkak të pushimit zyrtar me rastin e Vitit të Ri.
Me përparimin aktual të numërimit, pritet që gjatë ditëve në vijim të qartësohet renditja përfundimtare e kandidatëve më të votuar brenda subjekteve politike, si dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

