Vrasja ndodhi rreth orës 13:30 në lokalin e tij. Dyshohet se autori ka qenë i veshur me uniform shërbimi ngjyrë blu dhe jelek të verdhë fosforeshent. Pasi ekzekutoi biznesmenin, ai është larguar në drejtim të Shkodrës, ndërkoha që tre dëshmitarë okular në vendin e ngjarjes kanë sqaruar se autori u ka krijuar përshtypjen se ishte postier.
Policia e Shtetit ka nisur hetimet pas atentatit, ndërsa mësohet ka kryer kontrolle në Lezhë, në banesat e familjes Balaj, për shkak të historisë së hakmarrjes që kanë pasur të dyja fiset. Në vitin 2000 dyshohet se persona të fisit Balaj kanë vrarë vëllanë e Nikulajt. Ky krim është pasuar me dy të vdekur nga ana e fisit Balaj, por për krimet në fjalë nuk ka pasur asnjë të arrestuar.
Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj tha në një intervistë për Euroneës Albania se arma e përdorur nga atentatori i biznesmenit, Ardian Nikulaj në Shëngjin është një armë e vjetër që nuk përdoret më nga organizata të krimit të organizuar.
Vjehrri i biznesmenit të vrarë ditën e sotme zbuloi se ishte vetëm 3 metra larg vendngjarjes, ndërsa tregoi se nuk e dinë nga erdhi autori. Sipas tij në lokal hyri një djalë me jelek dhe skafandër në kokë, i cili më pas ekzekutoi Nikulajn.
Biznesmeni i njohur Nikulaj, baba i katër fëmijëve, ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021 në siglën e Partisë Social Demokrate. Aktualisht ishte kryetari i PSD-së dhe kandidat për anëtar të Këshillit bashkiak të Lezhës, nën logon e kësaj partie.