Gjatë vitit të kaluar është shënuar një rekord i ankesave ndaj zyrtarëve policorë në Kosovë. Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar rreth 2 500 ankesa nga qytetarët, prej të cilave afërsisht 700 janë trajtuar si raste për hetim penal.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 numri i ankesave ka shënuar rritje prej mbi 22 për qind krahasuar me vitet paraprake. Si rezultat i këtyre rasteve, IPK ka rekomanduar masa të suspendimit për rreth 120 zyrtarë policorë.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, ka bërë të ditur për KosovaPress se rreth 200 raste janë proceduar në prokuroritë kompetente, përmes kallëzimeve penale ose raporteve informuese.
Hodaj thekson se trendi i ankesave ndaj Policisë së Kosovës është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, duke nënvizuar nevojën për rritje të llogaridhënies dhe profesionalizmit brenda institucionit policor.

