Administrata Trump ka konsideruar për vite me radhë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, si një kriminel dhe ka kërkuar ta ndjekë penalisht përmes sistemit ligjor amerikan.
Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, Maduro u akuzua në Distriktin Jugor të New Yorkut për “narkoterrorizëm”, komplot për importimin e kokainës dhe akuza të tjera të ngjashme. Për arrestimin e tij, administrata ofroi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh, sipas CNN.
Shpërblimi u rrit në 25 milionë dollarë në fillim të janarit 2025, gjatë ditëve të fundit të administratës Biden, dhe më pas arriti në 50 milionë dollarë në gusht 2025, pasi Trump mori detyrën për një mandat të dytë dhe shpalli grupin kriminal “Cartel de los Soles” si organizatë terroriste të huaj.
Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar se Maduro është lideri i këtij grupi kriminal. “Ky pretendim se regjimi i Maduros është një organizatë narkoterroriste nuk bazohet në biseda apo spekulime politike. Ai mbështetet në provat e paraqitura për një jurie të madhe në Qarkun Jugor të New Yorkut që ngriti një padi,” deklaroi Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, gjatë një konference për shtyp muajin e kaluar.
Presidenti Trump njoftoi se Maduro ishte arrestuar “në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së” dhe premtoi detaje shtesë më vonë gjatë ditës.
Senatori republikan Mike Lee nga Utah raportoi se kishte biseduar me Rubion, i cili i konfirmoi se “Nicolás Maduro është arrestuar nga personeli amerikan për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara”.
Zëvendës Sekretari i Shtetit, Christopher Landau, e përshkroi operacionin si “një agim të ri për Venezuelën”. “Tirani është zhdukur. Tani ai — më në fund — do të përballet me drejtësinë për krimet e tij,” tha Landau.

