Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se situata me energjinë elektrike në vend është “alarmante”, duke theksuar se shumë vendbanime përballen me reduktime të tejzgjatura gjatë valëve të ftohta dimërore.
Haradinaj ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme, duke nënvizuar nevojën për investime në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të garantohet energji e mjaftueshme dhe faturim i qëndrueshëm për qytetarët.
“Gjendja e rënduar me energji është alarmante. Shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura, në kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe shumica e qytetarëve e përdorin energjinë për ngrohje. Po ashtu, në këtë periudhë shumë vëllezër e motra nga diaspora po i kalojnë pushimet në atdhe,” shkruan Haradinaj në Facebook.
Ai thekson se siguria energjetike duhet të konsiderohet si prioritet kombëtar dhe paralajmëron se mosveprimi mund të shkaktojë “traumë” për qytetarët, jo vetëm për mungesën e energjisë, por edhe për faturat që rrezikojnë të tejkalojnë çdo nivel normal.
“Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, që të mos vazhdojë kjo situatë e papranueshme për qytetarët tanë,” përfundon kryetari i AAK-së.

