Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ka bërë të ditur se presidenti venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë paditur zyrtarisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Sipas Bondit, ndaj Maduros janë ngritur akuza të rënda për konspiracion për narkoterrorizëm, import të kokainës, si dhe për posedim të armëve dhe pajisjeve shkatërruese. Ajo ka theksuar se edhe bashkëshortja e tij konsiderohet e përfshirë në aktivitete të dyshuara të trafikut të drogës.
Prokurorja e Përgjithshme i cilësoi Maduron dhe Floresin si trafikantë të dyshuar ndërkombëtarë të narkotikëve, duke deklaruar se ata do të përballen me drejtësinë amerikane.
“Ata së shpejti do të përballen me rreptësinë e plotë të drejtësisë amerikane në tokën amerikane, në gjykatat amerikane. Në emër të gjithë Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, falënderoj Presidentin Trump për guximin që tregoi duke kërkuar llogaridhënie në emër të popullit amerikan, si dhe ushtrinë tonë për misionin e jashtëzakonshëm dhe shumë të suksesshëm për kapjen e këtyre dy trafikantëve të dyshuar ndërkombëtarë të drogës”, ka shkruar Bondi.

