Situata me vërshimet dhe përmbytjet në vend sa vjen e rëndohet.
Komuna e Junikut ka njoftuar se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, shkruan IndeksOnline. Në një njoftim zyrtar, Komuna bën me dije se ka formuar shtabin emergjent.
“Në këtë kuadër, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12.01.2026. I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe t’i ndjekin njoftimet zyrtare. Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen”, thuhet në njoftim.
Pak më herët, edhe Komuna e Malishevës shpalli gjendje të jashtëzakonshme.
“Që nga orët e mesnatës, komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si kryetar i komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

