Përfundon numërimi i të gjitha votave, LVV-ja mbi 51 për qind

by informim peje

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më shumë se 51 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pas procesimit të të gjitha votave. Për herë të parë, një parti në Kosovë ka marrë 486.994 vota. LVV-ja e Albin Kurtit mori saktësisht 51,11 për qind, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Asaj i mjafton bashkëpunimi me partitë e komuniteteve pakicë për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për të krijuar Qeverinë.

VV-ja ishte partia e vetme që shënoi rritje në Kuvend në raport me zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat nuk sollën qeveri të re. Atëkohë pati siguruar 48 ulëse.

banner

Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 ulëse. Ajo mori 20,19 për qind të votave. Në krahasim me zgjedhjet e shkuara, ato të 9 shkurtit, kjo parti humbi dy ulëse në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte humbësja më e madhe e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo parti ka rënë në 15 ulëse nga 20 sa kishte, duke marrë 13,23 për qind të votave.

Në Kuvend, gjashtë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5,5 për qind të votave.

Lista Serbe me 9 ulëse dhe Za Zlobodu, Pravdu i Opstanak me një ulëse përmbushin normën prej 10 ulëseve të rezervuara për komunitetin serb. Dhjetë ulëset për komunitetet e tjera janë siguruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi me dy ulëse, si dhe nga Vakat, Nova Demokratska Stranka, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, PSA, Jedinstvena Goranska Partija dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, secila me nga një ulëse.

Në mesin e dhjetë kandidatëve më të votuar, nëntë janë nga VV-ja. Albin Kurti, me më shumë se 404 mijë vota, u bë personi më i votuar në historinë e Kosovës. Glauk Konjufca i VV-së doli i dyti me më shumë se 318 mijë vota. Personi i tretë më i votuar në këto zgjedhje ishte Albulena Haxhiu me më shumë se 174 mijë vota. I katërti doli Hekuran Murati me më shumë se 171 mijë vota.

Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, ishte i vetmi në top-dhjetëshe që nuk vjen nga VV-ja. Ai ka marrë më shumë se 161 mijë vota dhe ishte personi i pestë më i votuar më 28 dhjetor. Top-dhjetëshen e mbyllin Donika Gërvalla-Schwarz, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Avni Dehari dhe Mimoza Kusari-Lila.

Pas numërimit të këtyre votave, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja është e gatshme t’i shpallë rezultatet përfundimtare. Por, sipas ligjit, palët mund të ankohen për administrimin e numërimit të votave brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në këtë rast, PDK-ja është ankuar për një pjesë të votave me postë, duke thënë se ato kanë ardhur pas afatit të ligjshëm.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy