Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me tone të ashpra politike ndaj asaj që ai e cilëson si sulme të porositura dhe fushatë mercenare kundër LDK-së dhe figurave të saj. Përmes një postimi publik, Abdixhiku ka dalë në mbrojtje të Besian Mustafës, duke i quajtur sulmet ndaj tij si pjesë e një përpjekjeje të dëshpëruar për të cenuar unitetin e partisë.
“Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?”, shkruan Abdixhiku, duke theksuar se LDK dhe drejtuesit e saj nuk kanë frikë nga zhurma, titujt e porositur dhe opinionet e paguara. Sipas tij, këto sulme vijnë nga qarqe politike që nuk kanë ndikim brenda anëtarësisë së LDK-së dhe që nuk po arrijnë të depërtojnë në strukturat e saj.
Kreu i LDK-së nënvizon se partia që ai drejton nuk matet me portale mercenarizmi dhe as me sulme të nxitura nga pazaret politike mes partive të tjera. “I keni partitë tuaja. Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre”, shprehet Abdixhiku, duke bërë të qartë se LDK është një shtëpi politike me anëtarësi të qëndrueshme, e cila e mbron partinë edhe në ditët më të vështira.
Ai thekson se historikisht, LDK është sulmuar pikërisht në momentet kur ka qenë e fortë nga brenda, duke shtuar se uniteti i partisë është pengesë serioze për pushtete të lehta dhe interesa primitive. “Sulmet nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu”, shkruan Abdixhiku.
Në fund të reagimit, kryetari i LDK-së thekson se përgjigjja e partisë nuk do të jetë me mllef, por me punë, program dhe besim te shteti dhe qytetari, duke e cilësuar Besian Mustafën si përfaqësues të “njerëzve të së ardhmes”. Abdixhiku shprehet i gatshëm për ballafaqim të hapur me, siç i quan ai, mercenarët dhe paratë që qëndrojnë pas sulmeve ndaj figurave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

