Një skemë e dyshuar e përfitimit financiar nga tregtarët e energjisë elektrike, me dijeninë dhe mosveprimin e institucioneve përgjegjëse, ka shoqëruar importin e energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2024–2025. Hulumtimi i publikuar nga Buletini Ekonomik hedh dyshime serioze se ankandet në Zyrën e Ankandeve të Evropës Juglindore (SEECAO) janë shfrytëzuar për të krijuar “biznes” me linjat e transmisionit, në emër të furnizimit të Kosovës me energji.
Ani pse ligjërisht e mundshme, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) nuk ka marrë pjesë asnjëherë drejtpërdrejt në ankandet e SEECAO-së gjatë viteve 2024 dhe 2025. Emri i saj nuk figuron në asnjë nga ankandet e kësaj platforme për këtë periudhë, duke ia lënë sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare tregtarëve privatë të energjisë.
Kjo situatë u ka hapur rrugë tregtarëve që të shesin linjat e transmisionit me çmime marramendëse. Sipas gjetjeve të Buletinit Ekonomik, kapacitetet që në SEECAO bliheshin me rreth 1.11 euro për megavat-orë, KESCO-s i janë shitur në raste të caktuara deri në 800 euro për megavat-orë. Vetëm gjatë vitit 2024, kostoja e bartjes së energjisë elektrike është rritur për rreth 10 milionë euro krahasuar me vitin 2023, një rritje prej 907 për qind, barrë kjo e transferuar drejtpërdrejt te konsumatorët.
E gjithë kjo, sipas ekspertëve, do të mund të shmangej nëse KESCO do të merrte pjesë vetë në ankandet e SEECAO-së për të siguruar linjat e transmisionit. Megjithatë, një ndryshim i tillë ndodhi vetëm pasi çështja u bë publike. Vetëm pas publikimit të hulumtimit, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) i kërkoi KESCO-s që të marrë pjesë drejtpërdrejt në ankandet, pa ndërmjetësues.
Për vitin 2026, KESCO për herë të parë ka siguruar kapacitete vjetore të transmisionit përmes SEECAO-së. Të dhënat e platformës tregojnë se KESCO ka blerë linja në të tre kufijtë: me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Burime të sigurta të Buletinit Ekonomik bëjnë të ditur se kjo pjesëmarrje e KESCO-s erdhi pas kërkesës së ZRrE-së dhe vetëm pasi çështja e kapaciteteve ndërkufitare mori vëmendje të madhe mediatike. Ky zhvillim ngre pikëpyetje serioze se pse gjatë viteve paraprake ZRrE kishte lejuar që KESCO të varej plotësisht nga tregtarët privatë për linjat e transmisionit.
Në vend se të vepronte vetë, KESCO ia kishte deleguar këtë përgjegjësi kompanisë “Noa Energy Trade” nga Tirana, e cila ishte angazhuar edhe për importin e energjisë elektrike. Kjo çështje ishte diskutuar edhe në komunikime zyrtare mes KESCO-s dhe ZRrE-së. Në një email të shtatorit 2024, KESCO kishte alarmuar për pamundësinë e importit përmes Shqipërisë dhe për kostot enorme të bartjes përmes Malit të Zi, që vetëm për një muaj kishin arritur rreth 5 milionë euro.
Përgjigjja e ZRrE-së në atë kohë ishte e përgjithshme, pa kërkuar drejtpërdrejt që KESCO të marrë pjesë në ankandet e SEECAO-së. Nga KESCO nuk ka pasur përgjigje zyrtare lidhur me arsyet e mospjesëmarrjes në ankande gjatë viteve 2024–2025.
ZRrE, nga ana tjetër, ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka ndaluar KESCO-n të blejë drejtpërdrejt kapacitete ndërkufitare dhe se pjesëmarrja në ankande ka qenë gjithmonë e mundur. Sipas ZRrE-së, vendimi për vitin 2026 paraqet vetëm një ndryshim në strategjinë tregtare të KESCO-s.
Ndërkohë, sipas një raporti të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda” e Serbisë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të rritur çmimet e bartjes së energjisë për Kosovën. Raporti, i cili mbulon periudhën janar–tetor 2025, flet për “bllokim të linjave” dhe “përqendrim të ankandeve” në vetëm dy kompani, në rastet kur çmimi i bartjes ka kaluar 100 dhe 200 euro për megavat-orë.
Raporti i KOSTT-it tashmë i është dorëzuar ZRrE-së, e cila ka nisur hetime të zgjeruara në sektorin e energjisë. Pjesëmarrja direkte e KESCO-s në ankande për vitin 2026 pritet të pamundësojë skenarë të ngjashëm të abuzimit dhe të ulë ndjeshëm kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën.

