Sot pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe tre të akuzuarve të tjerë, në kuadër të rastit të njohur si skandali i Rezervës Shtetërore.
Seanca është caktuar të mbahet me fillim nga ora 09:30. Ky shqyrtim ishte planifikuar fillimisht për 10 dhjetor, por kishte dështuar për shkak të mosparaqitjes së Hajdarit në gjykatë, e cila më pas ishte arsyetuar se nuk kishte pranuar thirrje nga Gjykata.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit. Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohet se gjatë muajve shkurt–mars 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për persona të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerë prej mbi 2.9 milionë euro.
Prokuroria i akuzon gjithashtu për zbulim të fshehtësisë zyrtare, duke pretenduar se pa autorizim kanë ndarë informacione të klasifikuara për vendndodhjen e rezervave shtetërore me biznesmenin Ridvan Muharremi. Sipas organit të akuzës, edhe pse ishin në dijeni se këto të dhëna përbëjnë sekret shtetëror, ata ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion Muharremit, i cili, nga ana tjetër, dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e veprës penale përmes ndërmjetësimit dhe rekomandimit të operatorëve ekonomikë.
Rasti u bë publik në gusht të vitit 2023, pas publikimit të disa audio-incizimeve, që ngritën dyshime se një pjesë e rezervave shtetërore, përfshirë vajin dhe grurin e kontraktuar jashtë vendit, nuk kishin arritur kurrë në Kosovë. Pas kësaj, Policia arrestoi Lipovicën, Garën dhe Muharremin.
Rozeta Hajdari ka mohuar akuzat, duke deklaruar se blerjet për rezervat shtetërore janë realizuar në përputhje me ligjin dhe se informacionet lidhur me to janë sekrete shtetërore. Ajo ka akuzuar Policinë edhe për marrjen e dokumenteve të klasifikuara gjatë bastisjeve.
Në atë kohë, kryeministri Albin Kurti kishte dalë në mbrojtje të Hajdarit, duke thënë se nuk ka pasur korrupsion apo keqpërdorim dhe se ai ka besim të plotë në punën e saj. Kurti është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale në lidhje me këtë rast, por ka refuzuar të paraqitet në Prokurori, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në Kryeministri.

