Dy dronë dyshohet se kanë shkelur mbrëmjen e sotme hapësirën ajrore të Kosovës, duke ardhur nga territori i Serbisë në zonën kufitare të Muqivërcës. Lajmi është raportuar nga burime të sigurisë, sipas të cilave dronët janë vërejtur në pjesën lindore të vendit.
Sipas informatave, dronët kanë hyrë në territorin e Kosovës rreth orës 19:30–19:45, në afërsi të fshatit Novosellë në komunën e Kamenicës. Po ashtu, bëhet e ditur se ata kanë qëndruar për rreth 30 minuta në një pozicion statik pranë stacionit policor të Breznicës, duke ngritur shqetësime për sigurinë.
Burime institucionale konfirmojnë se për rastin është njoftuar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka bërë të ditur se dronët e vërejtur nuk i përkasin forcave të tij.
Shkeljet e dyshuara të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë që vijnë nga Serbia janë raportuar edhe më herët. Në shtator të vitit 2025, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte konfirmuar raste të tilla, duke deklaruar se Kosova vazhdimisht përballet me kërcënime dhe lëvizje të paautorizuara në hapësirën e saj ajrore.
Institucionet e sigurisë po vazhdojnë monitorimin e situatës dhe hetimet për të sqaruar origjinën dhe qëllimin e dronëve të dyshuar.

