Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në qendër të Deçanit, ku tre persona mbetën të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 në një lokal në qendër të qytetit, ndërsa krismat e armës tronditën qytetarët në zonë.
Policia arriti shpejt në vendin e ngjarjes dhe gjeti tre të plagosurit të shtrirë në dysheme, duke u ofruar menjëherë ndihmën e parë mjekësore dhe duke i dërguar për trajtim në spital.
I dyshuari për këtë incident është identifikuar si Ismet Zukaj. Sipas hetimeve fillestare, ai ka qëlluar me armën e tipit Zoraki drejt avokatit kosovar Daut Cacaj, i cili po negocionte një rast ligjor me dy klientë serbë, Dejan Simiq dhe Radovan Millosheviq.
Burimet raportojnë se Zukaj dyshohet se ka qenë i dehur në momentin kur nxori armën dhe qëlloi nga afër ndaj tre personave që ndodheshin brenda kafiterisë.
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë.

