Avokati i Popullit i dërgon letër Trendafiloves dhe kritikon Specialen: Po përdoren prova të paligjshme nga Serbia

by engel

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka dërguar një letër zyrtare Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke ngritur shqetësime serioze për përdorimin e provave të dyshimta në gjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Qelajt, disa dokumente të cilat pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe pas vitit 1999 po përdoren si prova në proceset gjyqësore, edhe pse Serbia nuk kishte juridiksion të ligjshëm në Kosovë gjatë asaj periudhe. Ai paralajmëron se kjo praktikë, e shoqëruar me pranimin e librave dhe botimeve me kredibilitet të ulët si materiale provuese, rrezikon ligjshmërinë dhe besueshmërinë e procedurave gjyqësore.

banner

Në letrën e siguruar nga Kanal10, Avokati i Popullit ngre shqetësime edhe për kufizimet në komunikim, vizita familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit, duke paralajmëruar për shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Ai vlerëson se procedurat para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi serioze në raport me Kushtetutën e Kosovës, instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një nga shqetësimet kryesore të Qelajt është mungesa e mekanizmave vendorë të monitorimit dhe llogaridhënies për Dhomat e Specializuara, si dhe perceptimi i një procesi monoetnik, pasi të gjithë të akuzuarit deri tani janë nga e njëjta përkatësi etnike. Ai thekson gjithashtu çekuilibrin procedural në proceset gjyqësore, duke vënë në dukje se gjykata ka refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat e mbrojtjes për prova dhe procedura.

Avokati i Popullit kritikon edhe praktikën e paraburgimit të zgjatur dhe të pandërprerë për të gjithë të akuzuarit, duke e cilësuar atë të papërshtatshme dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, veçanërisht kur të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe nuk ka prova konkrete për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve.

Në përfundim, Qelaj nënvizon se letra e tij është një nismë monitoruese në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv, me qëllim mbrojtjen e të drejtave themelore dhe garantimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.

Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në vitin 2020 dhe vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy