Qytetarët hungarezë do t’u drejtohen kutive të votimit më 12 prill 2026 për të zgjedhur një parlament të ri, në një proces zgjedhor që pritet të jetë ndër më të fortët e viteve të fundit. Sondazhet e opinionit tregojnë se kryeministri konservator Viktor Orban, i cili ka qeverisur vendin që nga viti 2010, mund të pësojë humbje.
Pas gati 16 vitesh në pushtet, Orban ka mbetur pas në sondazhet e pavarura për muaj me radhë, në një klimë të shënuar nga stagnimi ekonomik, rritja e pakënaqësisë ndaj shërbimeve publike dhe skandale që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve. Forca politike Tisza, e drejtuar nga Peter Magyar, ish-zyrtar i afërt i Orbanit dhe tashmë kritik i ashpër i tij, kryeson përpara partisë qeverisëse Fidesz.
“Që nga pranvera e kaluar, sondazhet e pavarura tregojnë një epërsi të qëndrueshme dyshifrore për Tiszën, rreth 50%, ndërsa Fidesz luhatet rreth 35%”, tha për AFP analisti Szabolcs Péc nga Instituti Hungarez Iranityu, duke theksuar se “ende kanë mbetur rreth 90 ditë deri në votim”.
Data e zgjedhjeve u zyrtarizua sot nga presidenti hungarez Tamás Szulók, i cili përmes një postimi në Facebook njoftoi se votimi do të zhvillohet të dielën, më 12 prill 2026, duke konfirmuar një datë që prej kohësh qarkullonte në skenën politike.
Megjithëse zgjedhjet janë ende disa muaj larg, fushata elektorale ka nisur prej kohësh. Aktorët politikë kanë intensifikuar lëvizjet në të gjithë vendin, ndërsa Orban ka zhvilluar vizita ndërkombëtare në Uashington dhe Moskë, duke shumëfishuar premtimet elektorale.
Sipas sondazheve më të fundit, përveç Fidesz dhe Tisza, edhe partia e ekstremit të djathtë “Atdheu Ynë” ka gjasa të sigurojë përfaqësim parlamentar. Ndërkohë, formacionet e tjera politike, përfshirë Koalicionin Demokratik të qendrës së majtë, mbeten nën pragun zgjedhor prej 5% të nevojshëm për të hyrë në parlament.

