Dyshime për hyrje të dronëve serbë në Kosovë, ish-ushtaraku: Nuk duhet të neglizhohen

by informim peje

Ndonëse ende nuk ekziston një konfirmim zyrtar nga Policia apo KFOR-i në lidhje me dronët nga Serbia, që dyshohet se kanë hyrë në territorin e Kosovës, më saktësisht në Novosellë të Kamenicës, ish-ushtaraku ka thënë për Ekonomia Online se këto pretendime nuk duhet të neglizhohen.

“Jemi në një kohë kur kemi shumë lajme që më tepër duken si spekulime sesa si realitet, prandaj është shumë e vështirë në këtë rast të arrihet në një përfundim nëse ka ndodhur vërtet një gjë e tillë apo jo. Nuk ka një komunikatë zyrtare, qoftë nga institucionet shtetërore të Kosovës, apo nga KFOR-i, i cili është kompetent për sigurinë dhe territorin e Kosovës. Ajo që është dëgjuar nëpër media dhe që është folur deri më tani, faktikisht nuk ka një bazë të qëndrueshme për ta konfirmuar apo mohuar praninë e atyre dronëve në territorin e Kosovës.

banner

Diçka e tillë është e mundshme të ndodhë, nuk duhet të përjashtohet dhe nuk duhet të neglizhohet, mirëpo meqenëse edhe në të kaluarën kemi pasur informata, apo më saktë dezinformata të shpeshta, për kërcënime të territorit dhe rreziqe të ndryshme, të cilat asnjëherë nuk kanë ndodhur dhe nuk janë verifikuar, atëherë edhe ky lajm i fundit nuk fiton shumë besim për të besuar se ka ndodhur vërtet. Përfundimisht, besoj se NATO-ja, përkatësisht KFOR-i, me prezencën e tij, do të duhej të jepte një përgjigje lidhur me këtë, meqenëse është përgjegjësi kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, deklaroi Gecaj.

Gecaj thekson se KFOR-i, si përgjegjësi kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, duhet të japë një sqarim publik.

“Përndryshe, jemi në një fazë kur shumë faktorëve, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm, u konvenon përhapja e dezinformatave për qëllime të ndryshme, për të tërhequr vëmendjen nga shumë ngjarje të tjera që janë më të rëndësishme se kjo. Një lajm i tillë shpesh tërheq vëmendjen në drejtim të kundërt nga ajo që një pushtet apo një klasë e caktuar politike nuk do të donte të shihej. Këto ndërhyrje mund të jenë edhe nga faktorë të jashtëm, pra jashtë territorit të Kosovës, por edhe nga brenda territorit të Kosovës.

E them këtë sepse shteti, përkatësisht përfaqësuesit e tij, do të duhej të ishin shumë seriozë në deklarimet e tyre, pasi kjo, më vonë, e humb besimin e qytetarëve, të cilët bien në konfuzion dhe nuk dinë nëse duhet t’u besojnë lajmeve që dalin në opinion apo jo. Në këtë rast, së paku deri në këto momente, nuk di që ka pasur një qëndrim zyrtar të institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje”, shtoi ai.

Pa një deklaratë zyrtare, veçanërisht nga KFOR-i, çdo pretendim për praninë e dronëve mbetet në fazën e spekulimeve.

“Pa një informatë zyrtare nga institucionet e Kosovës, në veçanti nga KFOR-i, gjithçka mbetet në fazën e spekulimeve. Nëse kanë qenë vërtet në territorin e Kosovës, kjo përbën një lëshim, por nuk është diçka që nuk mund të ndodhë. Megjithatë, së paku do të kisha pritur një reagim serioz të institucioneve të sigurisë, edhe nëse ka ndodhur një incident. Është e mundshme që të ketë depërtime, por pas një rasti të tillë duhet të ketë deklarim dhe qasje serioze nga institucionet vendore të sigurisë dhe nga KFOR-i”, përfundoi njohësi i sigurisë./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy