Dëshmia e plotë e Millan Vukashinoviqit për plagosjen në Leposaviq

by Nexhat

Rasti i plagosjes së Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, i cili në rrethana ende të paqarta u plagos rëndë në fillim të nëntorit të vitit të kaluar afër Leposaviqit, vazhdon të ngjallë interesin e opinionit në Serbi. Ndërsa institucionet kompetente vazhdojnë të shmangin deklarimet zyrtare dhe dhënien e informacioneve konkrete, njerëzit që e ndjekin dhe e hetojnë këtë rast ndërkohë kanë marrë edhe kërcënime. Ajo që ka ndodhur saktësisht në nëntor, në fshatin Jelakcë të Leposaviqit, është rrëfyer me detaje nga vetë Vukashinoviqi i plagosur para prokurorit, në dëshminë të cilën portali serb “Nova.rs” e ka pasur qasje, raporton ky medium.

Siç shkruan “Nova.rs”, Millan Vukashinoviqi më 12 dhjetor ka dhënë dëshmi para prokurorit të lartë publik në Prokuple, në spitalin e burgut në Beograd, ku ka përshkruar në detaje ngjarjet e 1 nëntorit 2025, kur u plagos me disa plumba në shpinë afër Leposaviqit, transmeton Paparaci.

banner

Sipas deklaratës së tij, atë ditë kishte planifikuar të takohej me D. A. në territorin e Kosovës, me të cilin ishte takuar edhe më parë në këtë zonë. Siç deklaroi, D. A. duhej t’i sillte mjaltë dhe raki. Rreth orës 11, ndërsa po lëvizte nëpër një rrugë alternative, me automjet goditi një pemë që ishte vendosur pingul në rrugë, por nuk u ndal dhe vazhdoi vozitjen, thuhet më tej.

“Kur nga kjo rrugë dola në livadh, automjetin e rrethuan disa persona dhe filluan të qëllonin. Në një moment e kuptova se po qëllonin drejt meje dhe ndjeva se isha goditur. Atëherë, në një çast, dola përmes xhamit të përparmë. Para se të dilja përmes xhamit, e kuptova se po qëllonin mbi mua dhe ndjeva se isha plagosur”, ka deklaruar Vukashinoviqi në dëshminë e tij.

Ai ka thënë se, pasi doli nga automjeti, iu afruan persona të panjohur, e çuan deri te automjeti i D. A., i cili ndodhej në livadh, dhe me atë automjet e transportuan drejt spitalit në Prokuple. Pas dhënies së ndihmës së parë, ai u transferua në Qendrën Klinike të Nishit, ku u hospitalizua deri në mesin e nëntorit, e më pas u transferua në Burgun Qendror në Beograd.

Vukashinoviqi në të shtënat pësoi lëndime të rënda trupore, plumbi ende ndodhet në shtyllën kurrizore, për shkak të së cilës, siç thotë ai, është i lidhur për shtrat, ndërsa në Nish i është hequr një veshkë. Ai gjithashtu ka pësuar edhe thyerje të nyjës së këmbës së djathtë, përcjell Paparaci.

Në dëshminë e tij ai i mohoi pretendimet nga kallëzimi penal i 1 nëntorit, pasi iu lexua urdhri për zhvillimin e hetimit, duke pohuar se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Duke folur për jetën e tij në Kosovë, ai deklaroi se jeton këtu që nga lindja dhe se për vite me radhë është përpjekur pa sukses të punësohet, duke iu drejtuar, ndër të tjerëve, edhe përfaqësuesve të Listës Serbe. Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka marrë ndihmë dhe në vitin 2015, gjatë negociatave në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, iu drejtua institucioneve të Kosovës.

“Iu drejtova një njeriu që e pashë në televizion duke udhëhequr negociatat, Rahim Pacollit. Ai më doli në ndihmë dhe më dha punë në pikën kufitare në Jarinjë, ku që nga viti 2016 kam punuar në sigurimin e automjeteve të huaja”, ka deklaruar Vukashinoviqi, ndër të tjera.

Informacionin për plagosjen e tij i pari e publikoi në rrjetin social “X” avokati i familjes, Ivan Niniq, duke ngritur një sërë pyetjesh për rrethanat e të shtënave. Sipas pretendimeve që Niniqi ka paraqitur, Vukashinoviqi është plagosur me disa plumba në shpinë, ndërsa në incident dyshohet se kanë qenë të përfshirë persona të veshur me uniforma ushtarake, pa asnjë shenjë dalluese, në xhipa pa targa regjistrimi.

Deri më sot, informacione zyrtare për këtë rast nuk janë bërë publike, ndërsa opinioni mbetet pa përgjigje për pyetjet se kush ka qëlluar, pse dhe me urdhër të kujt.

“Nova.rs” thekson se për shkak të këtij rasti kanë mbërritur kërcënime ndaj avokatit Ivan Niniq.

Në grupin në Telegram “Koridor” u drejtuan kërcënime ndaj avokatit Ivan Niniq për shkak, siç u tha, të “publikimit të fotografive dhe informacioneve për mënyrën se si është pushkatuar Millan Vukashinoviqi nga Leposaviqi, vetëm sepse nuk ishte sipas masës së Listës Serbe, Millan Radoiçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit”.

Ndërkohë, Millan Vukashinoviqi ishte më herët shënjestruar nga mediat proqeveritare serbe për shkak të konfliktit me Listën Serbe.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy